Sport Barcelona konfirmon tërheqjen e Agueros, të mërkurën konferenca për shtyp

Barcelona konfirmon tërheqjen e Agueros, të mërkurën konferenca për shtyp

Shkoi te Barcelona që të luante me Lionel Messin, por nuk pati fat, sepse shoku i tij tek Argjentina u transferua në Francë, te PSG. Më pas karriera e Sergio Agueros mori një kthesë të fortë dhe tashmë është thuajse zyrtare mbyllja e saj për shkak të problemeve në zemër.

Barcelona ka bërë të ditur me anë të një komunikate për shtyp se të mërkurën e 15 dhjetorit do të ketë një konferencë shtypi, ku do të qartësohet e ardhmja e Agueros. Një konferencë, ku lojtari pritet të konfirmojë tërheqjen nga futbolli, pasi vuan nga aritmia. Në ndeshjen me Aleveshin ai la fushën e lojës, sepse u ndje keq nga ky problem.

“Të mërkurën, në orën 12:00, do të dalë në konferencë shtypi Sergio Kun Aguero për të shpjeguar të ardhmen e tij. Lojtari do të shoqërohet nga presidenti Joan Laporta”, – shkruhet në komunikatën e shtypit të Barcelonës.

Aguero ka luajtur vetëm 166 minuta në kampionat dhe Champions League me Barcelonën në 5 takimet që është aktivizuar, duke shënuar dhe 1 gol në La Liga. 33-vjeçari ka një karrierë të pasur, teksa ka luajtur për shumë vite me Manchester City dhe Atletico Madrid.

Sulmuesi është shpallur nënkampion bote me Argjentinën në vitin 2014 dhe ka fituar 5 tituj kampion në Angli.