Sport Leksion edhe Tiranës, Josa e bën Laçin “violinë të parë” të Superiores

Leksion edhe Tiranës, Josa e bën Laçin “violinë të parë” të Superiores

Edhe Tirana provon forcën e Laçit. Skuadrae Mirel Josës, pas Dinamos dhe Kukësit, ka mundur sot edhe Tiranën 1-0, duke mos lejuar shkëputjen e kryeqytetasve dhe duke iu afruar më shumë kreut. Kurbinasit janë tashmë 6 pikë larg Tiranës, kurse Kukësi i vendit të dytë 3 pikë larg dhe Vllaznia 4 pikë.

Ndeshja e luajtur në Laç u vendos nga një penallti në minutën e fundit të kohës së rregullt, që arbitri nuk e akordoi, por pas konsultimit me VAR-in ndërroi mendje. Ishte një penallti naive e shkaktuar nga portieri Bekaj, që Regi Lushkja e ktheu në gol dhe i dha fitoren skuadrës së tij.

Pretendent për titull

Me Josën në krye Laçi është bërë një “violinë e parë” e Superiores, të paktën për momentin, pasi ka mundur dy ekipet kryesuese dhe ka bërë një ngjitje të shpejtë të shkallëve të renditjes. Dora e trajnerit kryeqytetas është e padiskutueshme. Laçi gëzon një formë shumë të mirë dhe pa frikë mund të konsiderohet pretendent për titullin, nëse vazhdon me këtë ritëm.

Gjatë ndeshjes pati edhe përplasje me dy tifozerive, të cilat sulmuan njëra-tjetrën me sharje dhe hedhje sendesh.

Josa: Titulli? Nuk mund të flas sepse janë shumë skuadra

Trajneri Mirel Josa e analizoi kështë këtë fitore të kurbinasve:

“I dinim cilësitë e Tiranës, ne kishim erën kundër dhe ishim shumë të gatshëm në nisjet e Tiranës përpara në kundërsulmet e shpejta të saj. Unë nuk e diskutoj Laçin për kampionatin, unë dua përqendrimin e vazhdimësisë. Nuk mund të flas për titull, sepse janë shumë skuadra.

Ajo që dua unë është që të gabojmë më pak dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Mazrekaj ka cilësi, kishte dëmtim. Gjatë kësaj periudhe do të luanin lojtarët që kishin gjendje fizike që pas ndeshjes me Kukësin. Ishte një ndeshje shumë e luftuar sidomos në pjesën e mesfushës. Problemi është se ne luanim me një sulmues dhe dy anësorë.

Lushkja ishte lojtari që mund të fuste në problematikë Tiranën në qendrën e mbrojtjes. Penalltia edhe mos të ishte dhënë, por unë isha i kënaqur edhe me barazimin. Kur vjen me një skuadër që e nis me 5 pikë dhe e dërgon në stadin tani, duhet që ta mbash ekipin me këmbë në tokë”.