Përsëri probleme për Lionel Messi-n në Spanjë, për çështje që kanë lidhje me evazionin fiskal.
Numri një i katalanasve duket se nuk ka dalë akoma nga shënjestra e shtetit spanjoll, që vazhdon të kërkojë shpjegime për rreth 12 milionë euro që mund të kenë qenë pagesa në të zezë që klubi katalanas i ka bërë lojtarit.
Një problem ky që po bezdis Messi-n dhe familjen e tij prej shumë kohësh dhe që duket se është kthyer ta përndjekë numrin 10-të.
Autoritetet spanjolle kanë kërkuar sqarime të tjera (mundësisht përfundimtare) nga ylli i Barcelona-s në lidhje me disa pagesa që klubi ka bërë për Fondacionin e tij, për një shumë të përafërt me 12 milionë euro, që mund të kenë qenë pagesa të fshehta për lojtarin. Ky është lajmi i publikuar nga e përditshmja spanjolle “El Mundo”, i bazuar te dokumentet e “Football Leaks”.
Sipas të përditshmes, Barça ka paguar “të paktën 12.7 milionë euro për Fondacionin Messi mes 2010-ës dhe 2016-ës”. Autoritetet fiskale spanjolle mendojnë se këto pagesa janë bërë për të shmangur taksat, për Barçën dhe lojtarin.