Sport Barcelona “vulos” fatin e ​​Suarez dhe Vidal

Barcelona “vulos” fatin e ​​Suarez dhe Vidal

Dy sinjale të forta merkatoje vijnë direkt nga Barcelona, ​​ku trajneri Ronald Koeman ka përjashtuar nga lista e skuadrës së tij për miqësoren kundër Nastic Tarragona dy futbollistë titullarë në sezonin e kaluar; Luis Suarez dhe Arturo Vidal. Ata konfirmohen përfundimisht jashtë projektit të hollandezit, pavarësisht se së fundi u përfol për një ndryshim kursi në raport me 33-vjeçarin uruguajan, i cili njihet si mik i ngushtë i Leo Messit

Bëhet plotësisht e qartë se dy lojtarët në fjalë nuk llogariten më nga klubi blaugrana. Suarez ka qenë në vëmendjen e Juventusit për javë me radhë, sepse shihet si përforcimi i madh në repartin ofensiv të Andrea Pirlos, në vend të Gonzalo Higuain. Nga ana tjetër, mesfushori kilian ka qenë prej kohësh i lidhur me Interin e Antonio Contes, me “sponsorizimin” e fortë të këtij të fundit.

Në listën e Koeman për këtë miqësore, që do të jetë edhe ndeshja e parë (jozyrtare) e tij në stolin e Barcelonës, figuron Leo Messi, pavarësisht se iu bashkua stërvitjeve pas të tjerëve.