Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot në foltoren e Kuvendit se modeli i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama ka turpëruar Shqipërinë. Bardhi akuzoi Ramën se ka vendosur të fshihet si frikacak referuar kërkesës së opozitës për interpelancë me kryeministrin në lidhje me investigimin e “Rai3” për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
“Ju keni vendosur të grisni kushtetutën dhe rregulloren sa herë kërkohet që Rama të japë llogari dhe ky i fundit ka vendosur të fshihet si frikacak. Ky Kuvend sot do të duhet të distancohet nga sjella e Ramës ndaj Rai3, duhet të distancohet nga modeli i qeverisjes. Ish-këshilltari i vetë Ramës, na pohoi që anëtarët e mafias shqiptare, kanë përfaqësuesit e tyre dhe kanë mundësi për të kushtëzuar veprimet e qeverisë. E vërteta turpëron Ramën. Të thuash të vërtetat nuk ka aspak të bëjë me imazhin e Shqipërisë.
Imazhi i Olsi Ramës dhe Engjëll Agaçit nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por janë ata qytetarë të ndershëm që nuk pasurohen përmes korrupsionit, që shkëlqejnë me punë të ndershme. Investigimi në asnjë rast bëhet mbrojtës i narko-shtetit që ka ndërtuar Rama, nxjerr të vërteta me qeverinë e Ramës që ka treguar se e ka fuqizuar krimin e organizuar. Ishte prokurori i antimafias të Napolit që tregon se mafia është e fortë se vjen nga një shtet ku korrupsioni ka lulëzuar në çdo sektor. Shqetësim ka qenë nevoja për të kthyer qeverisjen në shërbim të qytetarëve. Rama mund t’i fshihet Kuvendit, por kërkesës së qytetarëve që qeverisja të jetë në shërbim të tyre, nuk i fshihet dot”, tha Bardhi.
Spiropali bën ironi me opozitën: Edi Rama e bleu dhe Rai3
Ndërkohë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali i është përgjigjur akuzave të opozitës dhe kreut të grupit të PD Gazment Bardhi në lidhje me investigimin e televizionit italian Rai3.
Duke folur në Parlament, Spiropali ju përgjigj me ironi opozitës, duke ju referuar faktit që mbrëmjen e djeshme, Rai3 nuk transmetoi pjesën e dytë të investigimit siç kishte paralajmëruar.
“E bleu dhe Rain ky diktatori, siç ka blerë Departamentin e Shtetit, Merkelin, Sançezin dhe Komisionin e Venecias. Ky diktatori i Tiranës që shet Shqipërinë për të blerë vota, mund t’i ketë çuar Rait nja 30 a 70 meleon Euro nga ato që i kanë tepruar pasi bleu Melonin. Përtej tij ka një llogari morale, një faturë dinjitetit që duhet paguar. Këtu zë fill edhe marrëzia e tyre që kanë humbur fillin. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Kanalizimeve të Ujërave të Zeza Mediatike (KUZM), edhe Rai qenka shitur te Edi Rama. E meqë episodi i mbrëmshëm nuk paska vazhduar të sjellë në Tiranë produktin e KUZM mbi fytyrën e Shqipërisë, për t’i derdhur në shtëpitë e italianëve, kjo na qenka prova e radhës e fuqisë censuruese të Edi Ramës.
Unë nuk hyj në këtë marrëdhënien nepotike, por pas perdeve të asaj penxhereje ku derdhet aq llum kundër Shqipërisë, ka shumë fantazma. Në pritje që Edi Rama të bëjë një intervistë të pacensuruar me Rai3, i shprehim solidaritetin tonë për këtë sulm të turpshëm. Interesi ynë politik është që ju nga gafa në gafë, nga humbja në humbje, po të ndiqnim vetëm këtë interes do t’ju thoja aferim në yryshin tuaj. As hasmit nuk do ja uroja këtë torollisje në çmenduri”, tha ministrja Spiropali.