Para ndalesës, kushtuar ekipeve kombëtare, Milani mori në kampionat një fitore të rëndësishme në Firence, që përmirësoi moralin, veçanërisht në dritën e humbjes së Juventusit, çka i lejoi kuqezinjtë të ktheheshin në +4 pikë në renditje karshi bardhezinjve. Tani mund të marrin frymë më lehtësisht, nisur nga perspektiva e vendit të dytë, pas Interit.
Performancë thelbësore në “Franchi” nga Fikayo Tomori, udhëheqësi mbrojtës, duke zëvendësuar Romagnolin e dëmtuar. Blerja e anglezit nga Chelsea është një çështje në modë, e adresuar gjithashtu nga zv.presidenti i nderit i kuqezinjve, Franco Baresi, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”: “Ai po imponohet me shumë vendosmëri dhe talent. Arriti në një kampionat që nuk e njihte dhe u përball me të pa frikë. Këto janë cilësitë e një kampioni të mundshëm. Shpresojmë se do të vazhdojë kështu. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta blerë, edhe nëse ka ende dy muaj për të luajtur. E dimë se jo gjithçka do të varet vetëm nga Milani”.
Ish-kapiteni ka investuar Gianluigi Donnarumma me përgjegjësi të mëtejshme, kontrata e të cilit do të skadojë pas disa muajsh. Rinovimi është një temë që do të trajtohet së shpejti, për të shmangur surpriza të këqija: “Shiriti? Kapiten në moshën 22 vjeç është një privilegj, ju duhet ta dini këtë. Ne e dimë vlerën dhe cilësitë e Gigio, ai u rrit këtu. E dimë se sa i rëndësishëm mund të jetë për Milanin në vitet e ardhshme”.
Tonali u përjashtua në ndeshjen debutuese të Kampionatit Europian U-21. Një “mëkat” i falshëm për të rinjtë, sipas Baresi: “Pritet shumë nga një lojtar me cilësitë e tij, por nuk mund ta anashkalojmë faktin se është 20 vjeç. Si mund të presësh që ai të imponohet menjëherë si veteran? Në muajt e fundit është përmirësuar, ka gjithçka për t’u bërë protagonist”. Në fund, disa fjalë për Ibrahimovic: “Duhet ta pyesni atë… Thjesht po them se ka kohë për të ndryshuar rolet. Shpresoj ta shoh atë në fushë edhe një vit tjetër. Zlatan është një forcë e natyrës”.