Duke filluar nga 18 maji do të rinisin punën baret dhe restorantet që kanë hapësirë të jashtme deri në orën 17:00.
Por Shoqata e Bareve, Restoranteve dhe Klubeve (BRC) me anë të një letre të hapur drejtuar kryeministrit të vendit Edi Rama që mban datën 30 prill i bën thirrje Ramës që të rishikojë rihapjen e aktiviteteve të tyre pa kufizim orari.
Kjo pasi sipas shoqatës, të gjithë klientët do jenë të angazhuar në punë gjatë orarit që ata do të jenë të lejuar të punojnë, e kështu xhiro do të jetë e ulët.
Në letër ata shprehen se ekonomikisht bizneset e tyre “janë gjunjëzuar”.
Në letër thuhet se BRC kanë qenë të parët që u ndërgjegjësuan me thirrjen e qeverisë për mbylljen e aktiviteteve, e për pasojë janë të prekur shumë ekonomikisht, pas 50 ditëve karantine.
Në këto rrethana kërkojnë që të ketë një iniciativë ligjore të veçantë për lehtësimin e menjëhershëm financiar, subvencionim në lidhje me pagesa të qirasë, mbështetje për rihapjen dhe ulje të barrës fiskale pas rihapjes ku të përfshihen taksat vendore dhe ato qendrore.
Së pari, kërkojnë që të parashikohen grante për subvencionimin e zërit të qirasë si një zë shumë i rëndësishëm në shpenzimet e tyre dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe që kanë qenë të mbyllur, ky zë ka qenë humbje direkte.
Po ashtu kërkojnë që përjashtimi i pagesës së shfrytëzimit të tarifës së zënies së hapësirës publike të mos jetë vetëm për muajt mars dhe prill 2020, por të vijojë edhe më tej, të paktën për një periudhë 18 mujore deri në rimëkëmbjen totale të aktiviteteve të tyre.
Gjithashtu, specifikisht për lokalet e natës, të cilat do të jenë të fundit që do të rihapen, por dhe që do të kenë funksionalitet të plotë më vonë se të gjithë subjektet e tjera, kërkojnë që mënyra e subvencionimit të jetë e ndryshme dhe më gjithëpërfshirëse, këtu duke marrë parasysh edhe faktin që numri i këtyre subjekteve është i vogël.
Së dyti, kërkojnë subvencionimin e normave të interesit për kreditë aktuale që i kanë të lidhura me biznesin, dhe subvencionim të normave të interesit në kredi disa qëllimore në lidhje me rimëkëmbjen e biznesit tonë dhe jo vetëm sa i përket pagave të punëmarrësve, por që të kenë mundësi që ta aplikojnë si një instrument për të rritur kapitalin qarkullues, në mënyre që të mos shkojmë drejt falimentimit, por të kemi mundësi te rimëkëmben.
Së treti, kërkojnë uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agroturizmit si një instrument i rëndësishëm për të incentivuar vijimin e aktivitetit në të njëjtin kapacitet si më parë si një faktor i kyç edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Së katërti, kërkojnë që këstet e parapagimit të tatim-fitimit edhe për tatimpaguesit me qarkullim mbi 14,000,000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë që ushtrojnë aktivitet në fushën e bareve dhe restoranteve, për vitin 2020 të mos paguhen.
Së pesti, kërkojnë që të vihen në dijeni në lidhje me datën e rihapjes së subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e bareve dhe restoranteve pasi data tashmë janë programuar edhe në vende si Italia apo SHBA që kanë kaluar një situatë shumë më të vështirë shëndetësore edhe se vendi ynë.
Së gjashti, kërkojnë të rishikohet orari i mbylljes së aktivitetit i cili duhet të shtyhet deri në ora 01:00. Kjo pasi në kuadër të masave të distancimit social, veprimtaria e tyre do të jetë e kufizuar në hapësirë, por në këtë mënyrë do mund të rikuperojnë humbjen duke u shtrirë më gjatë në kohë.