Lionel Messi është shndërruar në emblemë të Barcelonës, aq sa duket e vështirë dhe gati-gati e pamundur të imagjinohet skuadra katalane pa praninë e “pleshtit” argjentinas në përbërje.
Por një ditë do të vijë momenti që rrugët e Messit dhe ekipit “blaugrana” të ndahen dhe këtë e di mirë edhe presidenti i skuadrës katalane, Josep Maria Bartomeu, që në një intervistë për mediat spanjolle, pranoi se po punon për një Barcelonë pa yllin argjentinas.
“Ai është një futbollist simbol i Barcelonës, por në fund të këtij sezoni do të jetë 32 vjeç dhe normalisht që do të vijë edhe momenti që do t’i japë fund me futbollin e luajtur. Ndaj ne po punojmë që tani, për të afruar sa më shumë lojtarë të rinj, me qëllim që të ruajmë ciklin fitues edhe pasi Messi të mos jetë më në fushë”, deklaroi numri një i skuadrës së Barcelonës.
Lionel Messi luan prej 14 sezonesh te Barcelona dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar plot 32 tituj, ndërsa ka arritur të shënojë edhe 581 gola, në plot 664 ndeshje me skuadrën katalane.