Pikë dhe polemika. Shumë polemika. Në Ligë lufta për titull është e ndarë mes fushës dhe deklaratave helmuese: “U lodha me këtë temë! Mjaft u tha që fitojmë vetëm me gjyqtarë, kush humbet duhet të bëjë autokritikë dhe kaq”, u përsërit në kor Zidane dhe Sergio Ramos, me Real Madrid katër pikë përpara Barcelonas.
Referimi, aspak i mbuluar, ishte pikërisht për katalanansit, që fituan thellë ndaj Villareal, por që mbeten tepër të zemëruar. Barcelona fajëson arbitrat për një favorizim të Real Madrid në këtë La Liga.
Edhe ndeshja e fundit e fituar nga “blancos” kundër Athletic Bibaos (sërish me penallti) i ka hedhur më shumë benzinë zjarrit.
“VAR po ndikon në disa rezultate. Duket se gjithmonë preferon vetëm një ekip. Nuk është e drejtë dhe ka ekipe që kanë vuajtur. Biseduam me Ligën dhe VAR duhet të ndihmojë gjyqtarin. Të gjithë kemi parë imazhet e shumta dhe ndeshjet ku nuk është korrigjuar aspak vendimi i gjyqtarit”. Këto janë fjalët e një Josep Maria Bartomeu të tërbuar.
Presidenti i Barcelonës më pas u ndal në pankinën e Setien, që nuk rrezikon përkundër tre barazimeve në pesë ndeshjet e fundit që komprometuan luftën për titull: “E di se ka thashetheme. Falsitete! Nuk është fitorja që e shpëtoi atë. Po bën një punë të shkëlqyeshme dhe ka besimin tonë të plotë. Do të luftojmë në Ligë deri në fund dhe pastaj do të fokusohemi në Ligën e Kampionëve”.
Në fund, tema më delikate: rinovimi i Lionel Messit. “Nuk kam ndërmend të jap detaje mbi negociatat për rinovimin e kontratës, por ai ka thënë shumë herë se dëshiron të përfundojë karrierën e tij te Barcelona. Mbeten shumë vite dhe do të argëtohemi më shumë”.