Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka konfirmuar se negociatat me Interin për Lautaro Martinez janë ndërprerë. Blaugrana-t kanë disa kohë që po e monitorojnë 22-vjeçarin me shumë vlera, por deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të plotësojnë kërkesat e zikaltërve për të.
Gjërat vetëm janë bërë më të vështira gjatë javës së kaluar, me shumë raporte mediatike që deklarojnë skadimin e klauzolës së lirimit të tij prej 111 milionë €. Kjo do të thotë se Interi mund të kërkojë një tarifë më të lartë për ish-lojtarin e Racing Club.
“Tregu i transferimeve që do të vijë do të jetë shumë i ndryshëm. Klubet e mëdha do të kufizohen nga problemet ekonomike, por Barcelona është gjithmonë duke menduar për merkaton”, – shpjegoi Bartomeu në një intervistë me TV3. – Për Lautaro, negociatat janë ndalur. Ne kemi folur me Interin javë më parë. Të dyja palët jemi në një fazë analize”.
Lautaro iu bashkua Interit për një marrëveshje rreth 20 milionë € në verën e vitit 2018. Atij i kanë mbetur edhe tri vite në kontratën aktuale me zikaltrit. Këtë sezon, argjentinasi ka luajtur 38 ndeshje në të gjitha garat, deri më sot. Gjatë 2900 minutave në fushë, ai ka shënuar 17 gola dhe ka dhënë 5 asiste për shokët e skuadrës.
Në Spanjë janë të sigurt për transferimin e Lautaros në Spanjë në fund të korrikut apo në fillim të gushtit në bazë të një marrëveshjeje të arritur me futbollistin (60 milionë euro për 5 vitet e ardhshme). Mirëpo nga Italia këmbëngulin që Conte do të hiqte dore nga argjentinasi vetëm nëse ofrohen 90 milionë euro “cash” dhe kartoni i ndonjë futbollisti aktual të Barcelonës.
Rreth mundësisë se blerjes së Neymarit nga PSG, Bartomeu shpjegoi: “Nuk besoj që PSG do të vendosë në merkato ndonjë lojtar. Neymar është futbollist i PSG-së.”