Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka kujtuar vizitën e djeshme që bëri në Durrës, ndërsa kërkon nga shteti të bëhet sa më shpejt evidentimi i dëmeve të pësuara në çdo banesë e në çdo biznes dhe të përcaktohet fondi për riparimin e tyre.
“Në Durrës me një nga shumë familjet e dëmtuara nga tërmeti. Banorët kanë nevojë për mbështetje dhe jo propagandë!
Kërkojmë urgjentisht:
- Të bëhet evidentimi dhe transparenca e dëmeve për çdo banesë dhe biznes.
- Të caktohet dhe shpallet publikisht fondi i posaçëm i buxhetit për riparimin e banesave të prekura.
- Të pezullohen pagesat e ujit dhe energjisë për familjet e dëmtuara, deri në stabilizimin e gjendjes.
- Pezullimin e taksës së pronës deri në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara.
- Mbështetje me kredi të buta për bizneset që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti”, shkruan Basha.
Kujtojmë se nga tërmeti që tronditi vendin më 21 shtator, kryesisht Durrësin, Tiranën e Elbasanin, mbetën të lënduar 68 persona ndërsa rreth 500 ndërtesa kanë mbetur të dëmtuara.