Politika “Basha autorizon Açkën në krye të grupit parlamentar”, Bardhi përplaset me Nikollën:...

“Basha autorizon Açkën në krye të grupit parlamentar”, Bardhi përplaset me Nikollën: Nuk e zgjedh dot unë

Në seancën e sotme plenare, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka komunikuar anëtarët e Kryesisë së re të Partisë Demokratike. Bazuar në dokumentin që ajo lexoi, kryetari i PD-së ligjore ka autorizuar në krye të grupit parlamentar të PD-së Flutura Açkën.

“Me propozim të kryetarit të partisë vendoset përbërja e Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD: Flutura Açka nënkryetare e autorizuar për përfaqësimin e grupit parlamentar në mungesë të kryetarit. Kreshnik Çollaku nënkryetar, Arbi Agalliu Sekretar, Oriola Pampuri Zëdhënëse. Firmosur nga kryetari Lulzim Basha i grupit”, njoftoi Nikolla.

Një komunikim i tillë, shkaktoi debate të ashpra me Gazment Bardhin i cili e ka mbajtur më parë postin e kreut të grupit parlamentar.

“Nuk i drejtohesh dot askujt si kryetar i PD, nëse ty të vjen dokument me emër të grupit parlamentar të PD-së ti nuk thërret anëtarë të PS për ta marrë në shqyrtim, por dokumentacionin e vë në dispozicion të deputetëve opozitarë. Sot kryetarja e Kuvendit është qesharake”, u shpreh Bardhi.

Ky i fundit i hodhi akuza Nikollës se ka ndryshuar listën e diskutuesve në shkelje flagrante të Rregullores.

Nga ana e saj, kryeparlamentarja Nikolla theksoi se ajo nuk mund të zgjedhë se cili është kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

“Siç e kam thënë, kam kërkuar konsulencë juridike nga Shërbimi i Legjislacionit dhe këshilltarët juridikë.”

Nëse do të jetë nevoja, Nikolla tha se do t’i drejtohet edhe Këshillit për rregulloret dhe mandatet.