Kryesore Basha: Berisha sot foli me tezat e Ramës. PD s’ka rrugë tjetër...

Basha: Berisha sot foli me tezat e Ramës. PD s’ka rrugë tjetër përveç se e bashkuar

“Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm ndaj Sali Berishës, është dyfishuar sot nga reagimi i tij”. Kështu u përgjigj kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, një ditë pasi përjashtoi liderin historik të PD-së nga grupi demokrat parlamentar.

“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën e kam shprehur mbrëmë në mënyrë të qartë dhe të plotë. Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha. Shpresoj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi i vetëm i shqiptarëve”.

Ai shprehu keqardhjen që tezat e Ramës i dëgjoi sot nga Berisha. Basha theksoi se e vetmja rrugë e PD është të qëndrojë e bashkuar.

“Shpreh keqardhje që tezat e kundërshtarit të vetëm të PD e shqiptarëve sot i kam dëgjuar nga goja e një njeriu që vlerësimin e kam dhënë dje dhe i qëndroj dhe sot. PD nuk ka rrugë tjetër përveç se e bashkuar”.