Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një lidhje live me emisionin maratonë “Opinion” deklaroi se qeveria nuk është e përgatitur për koronavirusin edhe pse pati kohë për ta bërë një gjë të tillë.
Kreu i opozitës deklaroi se duhet bërë një plan afatgjatë transparent.
“Kriza kërkon jo t’i përgjigjesh, por të ecësh një hap përpara. Intensiteti i masave nuk duhet të fillojë pas rastit të parë. Prej datës 2 Shkurt këtë ka kërkuar opozita, që të ndërmarrë masa.
Më 24 Shkurt kam kërkuar publikisht që të ndërtohet një regjistër i posaçëm i njerëzve që vijnë nga zonat e kuqe. Nuk e bëri sepse atëherë zoti Rama ishte në një tjetër gjendje mendore. E konsideronte deri një tallje këtë epidemi. Dy net më parë ka nxjerrë ushtarët dhe policët për të kontrolluar njerëzit. Imagjino sa e lehtë do të ishte po të kishte regjistrin e personave. Ky është problem që nuk mund ta zgjidhësh duke bërë parada me policë dhe ushtarë, të cilët ekspozohen përballë rrezikut. Një masë që propozova dhe nuk u mor në kohë.
Duket qartë që qeveria nuk është përgatitur edhe pse ka pasur kohë. Tani është koha të bëhemi bashkë dhe të bëjmë gjithçka për ta kaluar me pasoja sa më të lehta. Mendoj që duhet të kalojmë përtej fasadës. Tani na duhen mendje esëll, këmbë në tokë, dhe vendime të forta. Na duhet një plan që të gjithë ta dimë se çfarë po bëhet. Duhen siguruar mjekët. Kur të shtohet vala e pacientëve të kenë pajisjet për t’i kuruar”, tha Basha.
Lulzim Basha deklaroi se “opozita nuk ka rrugë tjetër vetëm të bëjë publike mendimet e saj.
Çfarë duhet të bëjnë institucionet? Kemi një buxhet 3.5 mln euro. Pa transparencë nuk mund të luftohet kriza. Kujt po ia fsheh? Virusit po ia fsheh. Kosova ka dhënë 10 mln euro. Shqipëria ka shumë pak para, me këto para nuk mjafton as dezinfektimi i spitaleve.
Hapi i parë është mbrojtja e personelit mjekësor. Personeli mjekësor nuk është i mbrojtur. Tek Infektivi është i vërtetë që një pjesë janë të pajisur. Por ajo nuk është vija e parë. Vija e parë është atje ku përplasen qytetarët”, tha Basha.