Kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga përfundimi i fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi janë bërë bashkë në një takim elektoral. Mbrëmjen e së dielës ata kanë takuar banorët e dëmtuar nga tërmeti në zonën e ish-Kombinatit në Tiranë. Të dy ata janë shprehur se Rama po përpiqet që t’i përçajë me deklaratat për bashkëpunim pas zgjedhjeve.
“Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat”, tha Basha.
“Jemi të dy bashkë edhe pse kemi 2 vjet që nuk ndahemi asnjë moment, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve, këtu fillon shtëpia juaj. Zoti Basha ka një plan të qartë për të ecur në rrugën e integrimit Europian dhe ne jemi të gjithë bashkë për ta çuar Shqipërinë në Europë, sepse fëmijët e shqiptarëve meritojnë një Shqipëri Europiane, nuk meritojnë Shqipërinë e një të mbaruari që i iku koha”, e përforcoi Kryemadhi.
Basha tha se me PD në pushtet procesi i rindërtimit do të përshpejtohet dhe nuk do të zvarritet më siç ka ndodhur me qeverinë e Ramës.
“Jemi këtu për të parë shkatërrimin që po lë pas Edi Rama pas 8 vitesh dështime dhe me dështimin e fundit, atë të rindërtimit që kanë lënë familjet tuaja pa strehë dhe jemi këtu për të thënë se etja për ndryshim, domosdoshmëria për ndryshim tani ndihet kudo. Pjesë e ndryshimit në programin tonë, është dhe rindërtimi me shpejtësi. Përfundimin në kohën më të shkurtër të mundshme i këtij procesi jetik. Kjo erë ndryshimi këtu në Kombinat. Për ne rindërtimi do të kalojë në 3 faza. Vlerësimi i çdo ankese me transparencë, vlerësim real i dëmit, kompensim dhe rindërtim pa asnjë pengesë dhe duke eliminuar të gjitha procedurat burokratike dhe korruptive të këtyre kohëve, të cilat i mbajtën dy dimra mijëra familje në çadra. Por njësoj kudo ku kemi qenë nëpër Shqipëri etja për ndryshim ndihet anembanë dhe shikohet në fytyrat e të gjithëve, të nënave, të rinisë që është mbledhur këtu”, tha Basha.
Ndërsa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi akuzoi Ramën se po grabit pronat e qytetarëve të prekur nga tërmeti.
“Jo pa qëllim, jemi sot këtu në këtë orë të vonë në Kombinat sepse këtu ku Edi Rama kërkon të grabisë pronat tuaja, ku Edi Rama kërkon të grabisë shtëpitë tuaja. Prandaj me 25 prill, sot ne jemi bashkë këtu edhe unë edhe zoti Basha, për t’ju thënë të gjithë shqiptarëve, që ne jemi një dhe jemi një me të Shqipërinë”, tha ndër të tjera Kryemadhi.