Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat pas vizitës në Spitalin e Traumës, ku pa nga afër gjendjen e qytetarëve të plagosur gjatë përplasjes së tyre me policinë pas aksionit të IKMT për prishjen e ndërtesave, deklaroi se banorët “janë dhunuar në mënyrë barbare”.
“Pashë të moshuar të gjakosur nga dhuna me shkopinj, gra të alivanosura nga përdorimi i gazit lotsjellës, janë lënduar edhe 5 policë. Ky është bilanc i një goditjeje të planifikuar nga Edi Rama që ka qëllim përgjakjen e qytetarëve dhe konfrontimin me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Rama dhe Veliaj po planifikojnë në Unazën e Re. Ky është krim i rëndë kundër jetës dhe banesave të qytetarëve. Dënoj këtë sjellje kriminale dhe paralajmëroj të gjithë ata që janë përgjegjës që do të përgjigjen para ligjit”, tha Basha.
“I bëj thirrje qytetarëve dhe punonjësve të ndershëm të policisë të mos bien pre e skenarit që kërkon të transferojë vëmendjen te dhuna”, shtoi kreu i PD-së.
Në fund, Basha bëri një premtim: “Zotohem politikisht se çdo cm katror do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD në pushtet”.