Ndryshe nga leja që ishte marrë deri në mesnatë, vendimi i presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe thirrja e tij për ndërprerjen e demonstratës së opozitës diktoi edhe mbylljen para kohe të protestës.
Në fjalimin para selisë blu në mbyllje të protestës, kreu i PD-së Lulzim Basha pati një apel për socialistët.
Kreu i PD tha se nuk është vonë për të shpëtuar Partinë Socialiste nga krimi dhe për këtë, sipas Bashës, “kupola” e kësaj partie duhet të largojë Ramën.
“Përshëndes me mijëra socialistë që janë bashkuar në këtë protestë dhe të tjerë që duan me zemër të pastrojnë partinë e tyre nga krimi. I bëj thirrje njerëzve me përgjegjësi në kupolën e Partisë Socialiste: arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni kontrollin politik të partisë, uluni në dialog për zgjidhje politike, pa Edi Ramën kryeministër dhe le të garojmë para shqiptarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk është vonë për ta shpëtuar Partinë Socialiste nga krimi”, tha Basha.
Basha shprehu vendosmërinë se nuk ka tërheqje pas deri në fitimin e kësaj beteje deri në largimin e Edi Ramës.
“Pjesëmarrja është shenjë e qartë e shumicës dërmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Shqipërinë si gjithë Europa. Pjesëmarrja, bashkimi, qëndresa, vendosmëria është forca jonë dhe forca juaj. Rama ik! Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, nga Londra në SHBA”, tha Basha.