Një ditë më parë kryeministri Edi Rama e konsideroi opozitën e sotme si “më mizerablën që prej vitit 1991”. Megjithatë për kryedemokratin Lulzim Basha, ky është thjesht nervozizëm i kreut të qeverisë.
Kjo pasi, Basha thotë se i kupton frikën sepse e pret humbja në 25 Prill, por për më tepër sipas tij, kryeministri do të përballet me drejtësinë. Basha u shpreh se Rama do që të krijojë një debat të zbrazët, por se ai nuk do të kacafytet me të.
Kryeopozitari i kujtoi zgjedhjet e 2011-s, ku tha se e ka mundur Ramën dhe të njëjtën gjë do të bëjë në zgjedhjet e ardhshme.
“E kuptoj nervozizmin e tij, e kuptoj dhe frikën e tij sepse realisht e pret jo vetëm humbja e thellë, por edhe përballja me drejtësinë. I gjithë fjalori i tij vulgar, sjellja e tij rrugaçërore ka vetëm një qëllim, të më tërheqë në një debat që është i zbrazët nga substanca. Që duket si kacafytje midis meje dhe atij. Nuk jam për t’u kacafytur me të. Kemi pasur një përballje në 2011-ën e kam mundur dhe prapë do ta mund. Sa i përket egos personale, por kjo nuk është për ego personale. Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë, jam këtu për të treguar përgjegjësitë që ky njeri ka. Edi Rama nuk ka përgjigje. Ndaj mos u çudisni për gjuhën e ulët, për gjuhën e baltës, për mashtrimet dhe gënjeshtrat që bën ai dhe sejmenët e tij.
E bën për të hequr vëmendjen nga dështimi i menaxhimit të pandemisë, vjedhjes së shqiptarëve, për të hequr vëmendjen nga fakti që akoma nuk ka bërë një paketë të tretë sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që bën. Këtu do jeni dhe do e shikoni. Siç kërceu në studio të enjten e kaluar do të shikoni dhe çudira të tjera. Do të bëjë çdo gjë me shpresën që shqiptarët t’i harrojnë këto të vërteta. Sa herë që sillet si kloun, sa herë që përpiqet të baltosë dhe të nxisë konflikt dijeni që ka futur prapë duart në xhepin tuaj.
Mos prisni që unë të kacafytem me të se nuk është luftë gjelash. Unë besoj tek diçka tjetër. Unë besoj që njerëzit nuk mund t’i bësh budallenj. Unë besoj që nuk mund t’ua shesësh sapunin për djathë gjithë kohën. Mund ta ketë bërë një herë, mund ta ketë bërë 2 herë nuk e bën më. I ka rënë kallaji thotë popullit. E kemi ne faj që themi i çmenduri. Nuk ka lidhje, ai është hajduti, mashtruesi, shkelësi i premtimeve. Çmendurinë e përdor për të vazhduar vjedhjen”, tha Basha.
Çështja e detit në Hagë, Basha: Qëndrimi im, i njëjti prej 10 vitesh
Kreu i PD, Lulzim Basha foli dhe për vizitën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, ku u paralajmërua dërgimi i çështjes së delimitimit të hapësirave detare në gjykatën ndërkombëtare.
Basha deklaroi se prej 10 vitesh, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i qëndron vendimit të tij dhe PD se kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, por përgatitjet duhet të bëhen nga një qeveri legjitime.
“Prej 10 vitesh, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese qëndrimi im dhe i PD ka qenë që kjo çështje duhet të trajtohet në organet e drejtësisë ndërkombëtare. Sot, Shqipëria ka nevojë të përgatisë urgjentisht fazën paraprake sepse kërkohet një punë shumë e madhe në këtë drejtim. Ky nuk është një moment i përshtatshëm. 6 muaj përpara zgjedhjeve, kjo qeveri nuk ka as legjitimitet as përgatitjen, madje nisur dhe nga deklarata publike të kryeministrit mund të përbëjë një rrezik për interesat kombëtare, nëse i lihet në dorë procesi i përgatitjes së çështjes në drejtësinë ndërkombëtare që është një punë përgatitore shumë voluminoze. Jemi konsekuentë për atë që kemi thënë prej 10 vjetësh, që kjo çështje të trajtohet nga drejtësia ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër ky hap duhet të ndërmerret nga një qeveri legjitime që ka dalë nga zgjedhje të lira dhe demokratike. Një qeveri legjitime duhet të mbrojë interesat e vendit”, u shpreh Basha.