Histori Si kryeministri serb i kërkoi Francës “të bëjë gjithçka” për të dënuar...

Si kryeministri serb i kërkoi Francës “të bëjë gjithçka” për të dënuar vrasësin e Esat Pashës

Esat Pasha në Paris

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“La Petite République” ka botuar, të enjten e 17 qershorit 1920, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e kryeministrit serbe mbi vrasjen e Esat Pashës dhe gjetjen e fajtorit të vërtetë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Vesniç dhe vrasja e Esat Pashës

Beograd, 16 qershor. – Duke iu përgjigjur në Parlament, pyetjes së Z. Dragoviç, në lidhje me vrasjen e Esat Pashës, i cili pyeti nëse ishte një hakmarrje apo një krim politik, presidenti i këshillit (kryeministri), Z. Vesniç, tha:

“Esat Pasha u vra në një vend të civilizuar ku respektohet jeta njerëzore. Shpresoj që qeveria franceze, duke ditur ndihmën që Esat Pasha i dha çështjes së përbashkët të Aleatëve gjatë gjithë luftës, duke u rreshtuar me ne me një ushtri shqiptare në frontin e Selanikut, të bëjë gjithçka për të gjetur fajtorin e vërtetë dhe do ta dënojë atë.

Unë deklaroj, në emër të vendit, që ne vajtojmë thellë për vdekjen e Esat Pashës, sepse ai ishte një mik i sinqertë i popullit tonë. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve të vërtetë.

Esati ishte një ushtar i shkëlqyeshëm, shumë inteligjent, shumë energjik; ai ishte armiku ynë kur mbrojti Shkodrën gjatë Luftës së Parë Ballkanike në 1912; por ai luftoi me besnikëri, siç ndodhi në të gjitha takimet tona me turqit. Duke e gjetur popullin shqiptar të braktisur në dorë të fatit, ai i gjeti vendin e duhur midis popujve të tjerë Ballkanikë dhe veçanërisht midis popullit serb, për arsye të situatës gjeografike dhe interesave jetike të vendit. Prova më e mirë e miqësisë së tij erdhi gjatë tërheqjes nga Shqipëria gjatë së cilës ai u dha ndihmë dhe asistencë popullit serb që largohej nga zgjedha e armikut.”

Ky fjalim u nderua me duartrokitje të fuqishme nga asambleja.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania