Në vetëm një javë, opozita zhvilloi protestën e dytë masive kundër qeverisë së Edi Ramës, këtë herë me një tubim paqësor para Parlamentit, që ishte blinduar nga mbi 1500 policë.
Njëherësh me protestën deputetët e PD-LSI dorëzuan mandatet e tyre, duke i dhënë fund dyshimeve për aktin historik që do të ndërmerrnin.
Vendimi i opozitës vjen në kulmin e tensionit politik në Shqipëri dhe duket se vendi ka hyrë zyrtarisht në një krizë të re institucionale, me ngërçin që të gjithë e kanë të vështirë të parashikojnë se si do të zgjidhet.
Në njërin krah janë ndërkombëtarët që ia kanë bërë të qartë opozitës se pushteti nuk merret me dhunë dhe në krahun tjetër Kryeministri Edi Rama që thotë se zgjedhje do të ketë vetëm në 2021.
Para gjithë kësaj panorame të ngarkuar, kreu i opozitës Lulzim Basha duket se e ka ndarë mendjen për të kërkuar një qeveri tranzitore, ndërsa “Panorama” raporton se ai do të udhëtojë ditën e nesërme drejt Vjenës.
Mësohet se Basha do të ketë një takim me asamblenë parlamentare të OSBE-së dhe më pas do të kthehet bashkë me Fatmir Mediun dhe Nard Ndokën në Shqipëri.