Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë sot në Asamblenë Politike të Partive Popullore Evropiane, që u zhvillua në punimet online. Në një njoftim për mediat nga PD, bëhet me dije se Basha në fjalën e tij është ndalur tek situata e shëndetësore në vend dhe ka thënë se qeveria nuk ka menaxhuar mirë situatën.
Basha ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të BE, që janë pjesë e PPE, për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19.
“Shqipëria ndodhet sot në krizë të thellë ekonomike, papunësia është rritur dhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e përballojnë dot blerjen e medikamenteve anti-COVID, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri, janë me çmime më të larta se në çdo vend tjetër.
Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është më se e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, janë në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira”, është shprehur kreu i PD.
Basha pati po ashtu biseda të veçanta me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të BE, ku kërkoi ndihmë për vaksinën anti-COVID.