Sport Botërori 2022: Shqipëria në grup me Anglinë, Kosova me Spanjën

Botërori 2022: Shqipëria në grup me Anglinë, Kosova me Spanjën

Goglat e përzgjedhura nga ish-fantazisti holandez Rafael Van der Vart vunë Shqipërinë në grupin I, bashkë me kundërshtarë shumë të fortë si Anglia, Polonia e Hungaria. Një grup mjaft i vështirë edhe për Kosovën

Short i vështirë për Shqipërinë dhe Kosovën në rrugën drejt kualifikueseve të Botërorit 2022. Kombëtarja kuqezi u pozicionua në Grupin I, ku kundërshtari më i fortë është Anglia. “Tre Luanët” ishin mes kokave të grupit në short dhe janë një tabu për kuqezinjtë, që në katër përballje historike gjithmonë në kualifikueset e Kupës së Botës, nuk kanë arritur të marrin asnjë rezultat pozitiv.

Nga skuadrat e vazos së dytë të shortit, Shqipëria gjeti një tjetër skuadër mjaft të fortë, Poloninë e Robert Lewandowskit. Në përballjet historike me këtë kundërshtar, Kombëtarja ka fituar vetëm një nga 11 ndeshje dhe kjo në vitin e largët 1953.

Për të mos u nënvlerësuar edhe Hungaria, që paraqitet si forca e tretë e grupit në letër, ndërsa rivalë më të dobët se kuqezinjtë në grupin me gjashtë skuadra janë Andorra dhe San Marino.

Kualifikuese mjaft të vështira parashikohen edhe ato të Kosovës. Dardanët do të luajnë në Grupin B, i cili ka vetëm 5 ekipe. Spanja është kokë serie, ndërsa rivalët e tjerë, të gjithë më të fortë se Kosova bazuar në renditjen e FIFA-s janë Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.

Në grupet e tjera, Italia sfidohet nga Zvicra, Belgjika nga Uellsi dhe Holanda nga Turqia. Mjaft të balancuar duken grupi F me Danimarkën, Austrinë dhe Skocinë, por edhe Grupi H me Kroacinë, Sllovakinë, Rusinë dhe Slloveninë. Dhjetë skuadrat fituese të grupit kualifikohen direkt në Kupën e Botës, ndërsa ekipet e vendeve të dyta, të cilave do t’u shtohen edhe dy skuadrat më të mira nga Liga e Kombeve do të luajnë në fazën “play off” për tre bileta që do të plotësojnë 13 vendet e Europës në Katar 2022.

SHORTI I PLOTË

Grupi A: Portugali, Serbi, Republika e Irlandës, Luksemburg, Azerbajxhan.

Grupi B: Spanjë, Suedi, Greqi, Gjeorgji, Kosovë.

Grupi C: Itali, Zvicër, Irlanda e Veriut, Bullgari, Lituani.

Grupi D: Francë, Ukrainë, Finlandë, Bosnje, Kazakistan.

Grupi E: Belgjikë, Uells, Republika Çeke, Bjellorusi, Estoni.

Grupi F: Danimarkë, Austri, Skoci, Izrael, Ishujt Faroe, Moldavi.

Grupi G: Holandë, Turqi, Norvegji, Mali i Zi, Letoni, Gjibraltar.

Grupi H: Kroaci, Sllovaki, Rusi, Slloveni, Qipro, Maltë.

Grupi I: Angli, Poloni, Hungari, Shqipëri, Andorrë, San Marino.

Grupi J: Gjermani, Rumani, Islandë, Maqedoni e Veriut, Armeni, Lihtenshtejn.

KURIOZITETE PËR KATAR 2022

* Botërori në Katar do të zhvillohet nga data 21 nëntor deri më 18 dhjetor të vitit 2022.

* Kjo është hera e parë në histori që faza finale e Kupës së Botës do të luhet në dimër.

* “Katar 2022” ka tetë stadiume, nga të cilat katër ndodhen në kryeqytetin, Doha.

* Impiantet janë të shpërndarë në një rreze prej 55 kilometra katrorë.

* Për herë të parë tifozët mund të ndjekin më tepër se një ndeshje në ditë dhe do të evitojnë udhëtimet e gjata.