Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar gjatë seancës plenare që të ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Basha tha se ndërkohë që java ka qenë e mbushur me skandale në parlament nuk ndodhet as 1/3 e kabinetit qeveritar për të bërë transparencë.
Sa i përket kreut të qeverisë, Basha tha se ai ka udhëtuar me çarter privat luksoz para dy ditësh diku.
“Si ka mundësi në një javë të mbytur me skandale, këtu nuk ndodhet as 1 e 3 e kabinetit. Ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi e erdhi me çarter privat diku dhe nuk pati as decencën të njoftonte shqiptarët se për çfarë i harxhoi 120 mijë euro karburant që kushton një fluturim me çarter privat. Ky që e nisi qeverisjen me premtimin se do të udhëtojë me bileta ekonomikë tani niset për në Paris, për në Mynih, shkon e vjen me një çarter luksoz ku vetëm karburanti i kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur nuk e dimë ku është. Me siguri përgjigja misterioze do vijë është në takime të rëndësishme? NË çfarë takimesh. Në cili vend të botës mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfërinë më të thellë. Në cilin vend të botës kryeministri ka çarter privat, shkon drejt kryeqyteteve luksoze të Europës ndërkohë që qeveria e tij shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit siç ndodhi me banorët tek “5 Maji”. Sikur i ka bombarduar ndonjë armik”, tha Basha.
Basha hodhi akuza ndaj mazhorancës dhe tha se e kanë shitur Shqipërinë tek ofertuesi më i lartë.
“Paligjshmëria, largimi i çdo shërbimi nga qytetarët dhe kthimi i tyre në shërbim të një grushti njerëzish që luftojnë me çdo mjet në kurriz të qytetarëve. Këto janë të vërteta të pamohueshme, me të cilat çdo qytetar përballet çdo ditë. Korrupsioni është i përditshëm, korrupsioni ka shkatërruar vendimmarrjen, ka penguar avancimin drejt BE. Shikoni vetëm ngjarjet e javëve të fundit, shikoni ato media që kanë guxim t’i publikojnë këto të vërteta. Afera e shekullit, inceneratorit që shkrumbojnë paratë e shqiptarëve. Inceneratori i Elbasanit është një skenë krimi, është aleanca e qartë që bëni me njëri-tjetrin për pushtet dhe para. Natyra e vërtetë e kësaj qeverisje shpaloset në aferën skandaloze të inceneratorëve. Për çdo aferë që kemi denoncuar, ju e bëni veshin e shurdhër. Miliarda euro borxh këto 8 vite. Asgjë nuk ka kontribuar për mirëqenien e shqiptarëve. Fatkeqësisht, kjo është e vërteta. E keni shitur Shqipërinë tek ofertuesi më i lartë dhe kjo nuk ju skuq dhe as ju bën keq. Çmimin e kësaj e paguajnë qytetarët shqiptarë. Kur do të përballeni me të vërtetën, kur do të vijë dita kur ta ngreni zërin, nëse jo turpi është i juaji?!”, tha Basha.