Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e së martës Kryesinë e Partisë Demokratike. Ndërkohë që nesër pritet edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar.
Burime nga selia blu bëjnë të ditur se nuk bëhet fjalë për djegie mandatesh duke pritur afatin 6-mujor.
Sipas këtyre burimeve, deputetët do të firmosin një kërkesë individuale ku heqin dorë nga mandati dhe ajo do t’u dorëzohet KQZ-së dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Edhe pse Uashingtoni dhe Brukseli e kanë kritikuar ashpër këtë vendim të PD-LSI, këto të fundit nuk kanë pranuar të komentojnë qëndrimin e Perëndimit.
Deri më sot, i vetmi deputet nga radhët e opozitës që nuk i është bindur vendimit, është Lefter Koka.
Deputeti i LSI tha sot se vendimi për djegien e mandateve është i Sali Berishës dhe jo i qytetarëve.