“Bëhuni gati për betejën e radhës në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Tropojë, Sarandë”. Kështu u shpreh Lulzim Basha nga oborri i PD, i rrethuar nga qindra mbështetës, nga ku mbylli protestën tre orëshe që nisi para Parlamentit vijoi pranë Kryesisë së Kuvendit, ku u kërkua sërish largimi i qeverisë.
Opozita po sot dorëzoi zyrtarisht mandatet parlamentare.
Pas kësaj, tha Basha, opozita do jetë përkrah shqiptarëve si qytetarë të thjeshtë, ndërsa njoftoi protesta masive në të gjithë vendin deri në largimin e Edi Ramës dhe formimin e qeverisë kalimtare për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, por pa përmendur një datë konkrete.
“Opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kryqin parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme jemi si qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugë shprese që nuk do të ndalet, derisa të largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale, “Rama Ik”. Le ta shpenzojmë këtë energji hyjnore që mund të burojë vetëm nga shpirti i një race fisnike europiane siç jemi ne. Protesta të pandalshme popullore për rrëzimin e regjimit kriminal dhe të Maduros së Ballkanit.
Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo e ardhme nuk i takon kriminelëve Habilajve, Shullazëve, nuk i takon narkotrafikantëve, oligarkëve hajdutë që kanë zhvatur xhepat tuaj dhe iu kanë hequr bukën. Shqipëria do të ketë një të ardhme dhe kjo do të jetë e ardhmja juaj, e familjeve tuaja. Ne duam t’i japim fund padrejtësisë, pandëshkueshmërisë, duam t’i japim fund parlamentit të krimit siç i dhamë sot, dhe me vullnetin tuaj, me zgjedhje europiane do të kemi një qeveri të popullit dhe për popullin. Shqipëria do të ketë një të ardhme, ky është mesazhi i popullit të bashkuar si asnjëherë më parë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Liri Demokraci””, deklaroi Basha duke njoftuar mbylljen e mitingut teksa këndoi himnin kombëtar dhe bëri me duar simbolin e shqiponjës.