Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shfaq me një tjetër risi komunikuese “në luftë” me qeverinë, duke realizuar një video-selfie në publik. Prej aty, Basha denoncoi qeverinë për krizën, duke pretenduar njëherësh se ai ka një formulë zgjidhjeje.
“…qeveria, në vend që të ishte në krah të biznesit, në krah të familjeve në nevojë, i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit dhe paratë e taksave të tyre nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar ata, por kanë shkuar përsëri për të ndihmuar një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh. Kjo është arsyeja se pse kriza ekonomike në Shqipëri është më e thellë sesa në Kosovë, është më e thellë sesa në Maqedoninë e Veriut. Në qoftë se vazhdon kështu, do të thellohet edhe më shumë. Do të jetë kriza më e thellë në të gjithë Ballkanin. Këtë, natyrisht, nuk e dëshiron askush, nuk mund ta pranojmë as ne si opozitë.
Ndaj, kryesorja është t’i dëgjojmë drejtpërdrejt nga goja e njerëzve, e atyre që janë drejtpërdrejt të prekur, siç janë bizneset, por edhe e qytetarëve, gjendjen e tyre reale, pa propagandë, pa mashtrime, pa gënjeshtra dhe të diskutojmë bashkë me ta edhe rrugët e daljes nga kjo situatë që, nëse ka vullnet, sigurisht që ekzistojnë.
Hapi i parë do të jetë që lekët e shqiptarëve të shkojnë tek njerezit, t’i japim fund prokurorimeve korruptive, tenderave sekretë, koncesioneve që po përthithin të gjithë paratë e njerëzve, t’i kthejmë ato në pagesa direkte, në radhë të parë për konsumatorët, për familjet në nevojë, për njerëzit që kanë humbur vendet e punës, që kanë humbur xhiron e tyre. Së dyti, përfitime për çdo biznes. Statistikat e fundit tregojnë se më pak se gjysma e atyre që duhet të përfitonin nga vkm-të gjysmake të qeverisë, nuk i kanë marrë këto para akoma”, thotë Basha.