Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Mat, kreu i opozitës Lulzim Basha pohoi se largimi i Edi Ramës është mënyra e vetme për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit politik dhe zhvillimit ekonomik.
“Do të vazhdojmë me denoncimet dhe me protestat, si mjet për një nga qëllimet e pandryshuara të opozitës: zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër dhe zgjedhje lokale legjitime në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, u shpreh kreu i opozitës në Mat.
Basha tha se për këto është e nevojshme një reformë elektorale, që do t’i shërbejë qytetarëve, jo partive apo kryetarëve të partive.
“Reforma do të përmbushë zotimin që kemi marrë para njerëzve që parlamenti i ardhshëm të burojë nga qytetarët dhe t’u shërbejë qytetarëve, jo të jetë shërbëtor i oligarkisë dhe krimit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë. Vjedhin buxhetin, vjedhin taksat, vjedhin pasuritë, vjedhin me koncensione, vjedhin bregdetin, vjedhin minierat, vjedhin naftën, vjedhin trojet publike siç është afera e Teatrit Kombëtar. Pastrojnë paratë e pista të krimit”, tha Basha.