Kryedemokrati Lulzim Basha ka ngritur alarmin për kurbën në rritje të infeksioneve me Covid-19.
Në një komunikim me gazetarët nga selia e Partisë Demokratike, Basha tha se nga burimet e brendshme në dy spitalet Covid, kapaciteti në këto dy ambiente është shteruar.
“Nga burimet e brendshme të Covid 1 dhe Covid 2 kapacitetet e tyre janë të shteruara. Që do të thotë që numri total i të infektuarve me Covid është i barabartë me kapacitetet që këto spitale kanë për të trajtuar. Çfarë po bëhet me Covid 3? Nuk ka asnjë investim, ka vetëm propagandë. Ndërkohë numri total i të infektuarve është rritur me 30% vetëm në 10 ditë. Në këtë moment që po flasim, kolapsi i sistemit shëndetësor në raport me aftësitë për të përballuar të sëmurët me Covid që shtrohen në spital, është tashmë realitet. Na ka rënë goja këto 6 muaj duke kërkuar të merren masa”.
Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama për situatën në të cilën gjendet sot sistemi shëndetësor shqiptar.
“Sot për sot ajo që ka rëndësi maksimale është të lërë dërdëllitjet dhe bredhjet si ‘Robert Çamçakëzi’ dhe të marrë urgjentisht masa për shëndetësinë. I gjithë personeli shëndetësor duhet të angazhohet në këtë betejë, që do të thotë duhet të pajiset me maska. Ndodhemi përpara një tjetër rritje të frikshme të kurbës së infeksionit. Kjo tashmë është përgjegjësi personale e Edi Ramës dhe kukullave të tij”.