Lulzim Basha ishte sot në një familje kuksiane, ku u njoh nga afër me shqetësimet e banorëve, që janë kryesisht varfëria dhe emigracioni. Gjatë takimit me banorët, Basha theksoi se do ta hiqte taksën në Rrugën e Kombit sapo të vinte si kryeministër.
“Ditën e parë do ta heq, thuajini të gjithëve”, iu përgjigj një shoferi që iu ankua për rritjen e kostos së transportit.
Një tjetër banor i tha kryedemokratit se kishin 30 fëmijë që ishin larguar nga vendi dhe jetonin jashtë shtetit.
“Jemi 6 vëllezër dhe 30 fëmijë i kemi të gjithë jashtë shtetit” , i tha njëri prej familjarëve. Ndërsa vëllai tjetër u shpreh: “po të shkollosh një fëmijë do të duhen 25 milionë leke, unë i kam shkolluar fëmijët dhe tani janë jashtë”.
Gjatë bashkëbisedimit, Basha tha se problemin e emigracionit e zgjidh ekonomia. “Po të ketë ekonomi dhe investime këtu keni për ta pa se autobusët do të mbushen nga Brukseli për në Kukës dhe jo anasjelltas. Nuk duhet me e humb besimin, kjo rrugë që është bërë (rruga e Kombit) ishte zhvillim. Edhe socialistët e pranojnë se 2005-2009 ishte qeverisje e mire e PD-së”. Basha u premtoi atyre se kur të vijë PD në pushtet, fëmijët që sot janë në emigracion do të kthehen pranë familjeve dhe për këtë tha ai do të punojë për forcimin e ekonomisë. “Fëmijët që ikën nga skamja, kam me ua kthye”, u shpreh ai ndër të tjera.