Politika Basha nga Lezha: Rama i do njerëzit të ikin nga vendi

Basha nga Lezha: Rama i do njerëzit të ikin nga vendi

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim më qytetarë të Lezhës. Në fjalën e tij, Basha, tha se janë të shumtë ata që duan të largohen nga vendi dhe kryeministri Rama nuk po bën asnjë përpjekje për qëndrimin e tyre në Shqipëri.

“Rama po tenton t’i mbushë mendjen shqiptareve se Shqipëria nuk ka asnjë problem, e kuptoni se deri ku shkon çoroditja e njeriut. I ka ik truni, i ka ik truni komplet, sepse, nuk po i funksionon më instrumenti kryesor me të cilin ka marrë pushtetin. Ai i do njerëzit të ikin jashtë vendit, jo të rrinë këtu. Rinia po e braktis vendin, ndërsa edhe forca punëtore e mbetur është më pak e kualifikuar. Shqipëria sot është në një realitet të tmerrshëm, ku Rama dhe banda e tij janë në pushtet e vjedhin paratë e shqiptarëve me koncesione, ndërsa njerëzit e ndershëm vuajnë”.

Gjithashtu, kryedemokrati Basha tha se ka shumë pak të rinj që duan të ndjekim studimet në shkolla profesionale pasi mungojnë ambientet.

“Duhet ta kthejmë Shqipërinë në vendin që kanë nevojë për ne, duhet ti japim fund lojës së kungulleshkave. Të nismin trajnimin në të gjitha fushat profesioniste dhe të gjithë të rinjve që duan të ndjekin këto degë. Të mos ngelene vetëm në autitore, por të jenë në laboratorë, së dyti të kenë mundësinë të aksesojnë internetin kudo që të jenë”, tha Basha.