Opozita Basha: Nuk iki nga sheshi pa qeveri teknike

Basha: Nuk iki nga sheshi pa qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha për Blendi Fevziun në emisionin “Opinion” se ka vetëm dy rrugë për qeverinë Rama, ose të largohet me dialog politik ose të rrëzohet.

“Dy rrugë ka, ose do të largohet si pjesë e një dialogu politik, ose do të rrëzohet nga qytetarët e bashkuar,” tha Basha, duke shtuar se ftesa e tij për ti dhënë fund maskaradës së zgjedhjeve të blera është ndaj çdo force politike dhe veçanërisht ndaj partive që janë sot në qeverisje.

“Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimi i kësaj qeverie dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Basha tha se ata nuk janë në shesh për të risjellë në pushtet ata që ikën me votë të lirë në vitin 2013.

“Kjo nuk është një lëvizje për të sjellë në pushtet ata që u larguan me votë në vitin 2013,” tha Basha, duke premtuar jo thjeshtë një rotacion politik por ndryshim kastash.

“Kjo republikë që po përmbyset do të zëvendësohet me një republikë të qytetarëve shqiptarë dhe kjo do të arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha Basha.

“Këtu flasin qytetarët dhe vendosin qytetarët,” tha Basha, duke folur në një intervistë në studion e “Opionion” të improvizuar në shesh, pasi Kryetari i Partisë Demokratike nuk pranoi të shkonte në studion e “Opinion” në televizion Klan dhe të linte protestën.

Basha ka deklaruar se Partia Demokratike do të bojkotojë parlamentin për sa kohë protestuesit vazhdojnë të jenë në shesh në kërkim të dorëheqjes së Ramës dhe formimit të një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se deri tani duket si një organizim i Partisë Demokratike, sesa një protestë e qytetarëve, Basha u shpreh:

“Nuk jeni informuar, organizimi është i PD, pjesëmarrja është e qytetarëve, këtu ka pasur naftëtarë, studentë, ka pasur gjimnazistë, përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, të cilët tejkalojnë kufijtë e një organizimi partiak, ky është sheshi i lirës”.

Fevziu: Pse duhet të besojmë se këtë herë jeni ndryshe nga herët e tjera?

Basha: PD i ka pranuar gabimet, unë i kam pranuar botërisht, ne kemi pranuar në ato raste kur kemi tradhtuar besimin e qytetarëve. Ne vijmë para qytetarëve që të mos përsëritet më e djeshmja. Si një parti e rinovuar ne lidership, ka me dhjetëra të rinj dhe të reja që janë ne media sociale që kanë studiuar jashtë dhe kanë ardhur të japin kontribut në Partinë Demokratike.

…..

Mesazhi për ndërkombëtarët dhe kur do të kthehet PD-ja në parlament

Basha: Qytetarët shqiptarë përballen me drogën, përballen me krimin, qytetarët shqiptarë përballen me padrejtësitë, përballen me korrupsionin  dhe nuk pres nga askush që pi shampanjë, apo nga dikush që ha në restorante luksoze të Tiranës, Brukselit apo Parisit të më tregojë mua se çfarë do të bëjmë ne për të drejtat e tyre….Kjo është një punë e shqiptarëve, ky është një mall i shqiptarëve, dhe ne do ta zgjidhim këtu.

Fevziu: Nuk do të ktheheni në parlament?

Basha: Jo.

Fevziu: Deri kur?

Basha: Deri sa të kemi një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I pyetur nëse Rama nuk tërhiqet kjo do të thotë se nuk do të shkojnë asnjë ditë në parlament, Basha tha se “Besoj se isha i qartë!”

Zgjedhje pa opozitën nuk ka

I pyetur nëse Partia Demokratike thotë se nuk do të zhvillohen zgjedhjet me 18 qershor, apo opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, Basha tha se “Zgjedhje pa opozitën nuk ka!”

Fevziu i kujtoi se në vitin 1995 në Maqedoni janë mbajtur zgjedhjet pa opozitën.

Basha: Dhe ju mendoni se mund të përsëritet e njëjta gjë në vitin 2017? Se mendon ti mund të bëhen zgjedhje pa opozitën?

Fevziu: Nuk është çështja si mendoj unë.

Basha: Po apo jo?

Fevziu: Çfarë do të bëni për të penguar zgjedhjet?

Basha: Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, nuk do të ketë!