Politika Basha për fillimin e vitit të ri akademik: Studentët po largohen nga...

Basha për fillimin e vitit të ri akademik: Studentët po largohen nga vend nga shpërfillja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me nisjen e vitit të ri akademik.

Për kryedemokratin, ky vit akademik po nis me bojkot të mësimit nga studentët e Mjekësisë për shkak të ligjit antikushtetues të qeverisë që iu ndalon dhënien e diplomës me kushtin e punësimit në vend për disa vite.

Sipas Bashës, studentët edhe këtë vit do të përballen me mungesën e infrastrukturës fizike e dixhitale, tarifa studimi të larta etj.

“Në takime me studentë e pedagogë jam njohur me probleme themelore të cilat përballen çdo ditë: mungesa e mbështetjes për mirëkualifikimin e stafit akademik, arsimim jo cilësor e bashkëkohor, mungesë të infrastrukturës fizike e dixhitale, tarifa studimi të larta, politika jo mbështetëse për karrierë e punësim.

Fatkeqësisht, ky vit akademik po nis me bojkot të mësimit nga studentët e Mjekësisë, të cilët me të drejtë kundërshtojnë ligjin anti-kushtetues dhe anti-demokratik të ndalimit të dhënies së diplomës së mjekut me kushtin e punësimit prej disa vitesh brenda vendit.

Studentët largohen nga vendi jo nga dëshira, por sepse nuk kanë mundësi, nuk kanë kushte, nuk kanë punë e pagë dinjitoze për të ndërtuar një jetë të mirë në vend, largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i dëgjon dhe nuk i ofron siguri për të nesërmen”, shkruan Basha.