Aktualitet Në shënjestër nga grupi i Laert Haxhiut, merret në mbrojtje ish-prokurorja e...

Në shënjestër nga grupi i Laert Haxhiut, merret në mbrojtje ish-prokurorja e Lushnjes

Edhe ish-prokurorja e Lushnjes Merita Selimi është marrë në mbrojtje nga policia pasi dyshohet se ka qenë në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Laert Haxhiut.

Merita Selimi do të shoqërohet nga efektivë të Policisë së Shtetit kudo që të jetë në lëvizje.

Emri i ish-prokurores së Lushnjes doli nga dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë që zbuloi grupin e Laert Haxhiut dhe zbardhi 6 vrasje të kryera nga ky grup.

Sipas dëshmisë së tij para hetuesve, Laert Haxhiu kërkonte të vriste Merita Selimin pasi kishte hetuar atë dhe bashkëpunëtorë të tij për një vrasje.

Ish-prokurorja e Lushnjes u skualifikua nga vettingu.

Laert Haxhiu donte të eliminonte edhe prokuroren e SPAK

Rrëfimi i Artan Tafanit përballë drejtësisë për krimet e kryera nga e ashtuquajtura banda e Laert Haxhiut në Lushnjë, nxori në dritë një plan për eliminimin fizik të prokurores së posaçme Doloreza Musabelliu. Ndaj kësaj të fundit janë shtuar masat mbrojtëse me kërkesë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

“Si drejtues i SPAK i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të marrë masa shtesë për mbrojtjen e prokurores dhe familjes së saj. Drejtori i Përgjithshëm është angazhuar në marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e prokurores. Gjithashtu në cilësinë e Drejtuesit kam njoftuar edhe kryetarin e KLP”.

Sipas burimeve, Tafani ka treguar se ata i janë vënë në ndjekje Musabelliut për një kohë të gjatë, pasi ajo kishte në dorë dosjen e masakrës së Lushnjës, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha në 2017.

Musabelliu kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për dy njerëzit e afërt të  Laert Haxhiut, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, kërkesë që iu pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe mbeti në fuqi edhe në Apel. Për këtë ngjarje, në gjykim në mungesë është edhe Laert Haxhiu, si personi kryesor që e ka organizuar atë.