Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra në Tiranë, ku kanë biseduar rreth problemeve që përballen sot dhe zgjidhjeve që ofron Partia Demokratike.
Basha tha se keqqeverisja dhe dështimet e 8 viteve të fundit më shumë kanë rënduar te gruaja shqiptare. Sipas kreut të opozitës, kjo gjë do të marrë fund me votën për numrin 9 më 25 prill. Më tej, ai shpjegoi programin e Partisë Demokratike që parashikon për 5 mijë çifte të reja çdo vit t’ju subvencionohet 100% interesi i kredisë kur duan të blejnë një banesë. Sipas Bashës, fëmijët e porsalindur në moshën 5 vjeç do të marrin një çek prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj.
“Pesha e keqqeverisjes dhe e dështimeve nuk ka rënduar mbi askënd sesa mbi supet e nënave dhe grave shqiptare. Tetë vite dështime e në veçanti në rrafshin ekonomik dhe janë rënduar më shumë sesa gratë, bashkëshortet, nënat tona. Pasojat e papunësisë kë kanë rënduar më shumë sesa nënat tona të cilat i shohin me sytë aeroportet, portet dhe stacionet e autobusëve për t’u larguar nga vatrat e tyre, të cilat vuajnë pamundësinë për të siguruar ushqimin bazik shpeshherë për fëmijët e tyre, apo për të siguruar nevoja at e tjera shkollimin, me arsimimin. Ndaj, vij këtu me zemrën plot, me gëzimin dhe besimin që më falni ju. Me pritjen, me fjalët e ngrohta por edhe me supet e rënduara nga përgjegjësia e asaj që do të thotë, puna e madhe që na pret pas datës 25, pas ndryshimit për të cilin ftoj dhe pres angazhimin e të gjitha grave të Shqipërisë.
Sepse ndryshimi për ne, do të thotë në radhë të parë t’i japim fund diskriminimit, abuzimit, keqpërdorimit dhe lënies mënjanë të gruas shqiptare në çdo fushë. Në rrafshin ekonomik do të thotë të krijojmë mundësi reale për punësimin e grave shqiptare të cilat e vuajnë edhe më shumë plagën e papunësisë sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Është i domosdoshëm vendosja e ekuilibrit në institucione, por jo përmes gruas fasadë. Është e domosdoshme që roli vendimmarrës i gruas në politikë, të jetë real dhe thelbësor. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im, ky është angazhimi i Partisë Demokratike dhe për këto unë e di, se shumica dërrmuese e grave shqiptare sot janë të vetëdijesuar, e shoh këtë në çdo lloj takimi, në takime të vogla dhe në takime të mëdha si ky, vetëm me zonja apo bashkë të gjithë, që gratë të sytë e tyre kanë shpresën, kanë besimin, kanë energjinë për ndryshimin e pandalshëm që po vjen”, tha Basha.