Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sqaruar sot planin e opozitës së bashkuar për menaxhimin e pandemisë së COVID-19. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se plani me 5 pika që është prezantuar një ditë më parë nuk është plani elektoral, por është vetëm për 6 muajt e ardhshëm deri në zgjedhje.
“Plani që kemi prezantuar dje nuk është plani ynë elektoral për qeverisjen e nesërme. Është plani për 6 muaj e ardhshëm për të luftuar pandeminë”, tha Basha.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të adoptonte planin e prezantuar prej tij. “Dua ta them edhe njëherë qartë dhe shkoqur, plani ynë anti kovid nuk është plani ynë elektoral, por është plani që i drejtohet qeverisë që të lërë palaçollëqet të ndalë vjedhjet dhe të ndihmojë qytetarët dhe tek bizneset që po vuajnë”, shtoi kreu i PD.
Basha këtë deklaratë e bëri pas një takimi me një biznes fason në Vorë, ku tha se të gjithë bizneset e kanë kuptuar se tani koha është për ndryshim.
“Gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që ka ardhur koha për ndryshim. Ne këtë javë kemi shpalosur planin tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Fuqizimi nis nga biznesi dhe në kemi kërkuar që të ndihmohet biznesi. Një drejtim tjetër i rëndësishëm është rimarrja në punë e atyre që janë humbur punë dhe të ndihmojmë të vetëpunësuarit që rinisin punën”, tha kreu i PD.