Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha këtë të martë në një prononcim për gazetarët se zgjedhjet e 25 Prillit ishin një masakër elektorale dhe se viktimë e saj nuk është PD-ja, por qytetarët të cilët sipas tij kanë votuar për bashkimin.
Basha tha se detyra e Partisë Demokratike do të jetë luftimi për rikthimin e demokracisë në vend. Kur u pyet nëse partia që ai drejton do të hyjë dhe do ta vazhdojë këtë betejë në parlament, Basha tha se “beteja do të bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë”.
Lulzim Basha: 25 Prilli është një masakër elektorale, viktimë e së cilës nuk është PD dhe deputetët tanë. Rezultati ynë flet qartë që besimi dhe shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedentë të krimit të organizuar, parave të pista të krimit dhe siç tha raporti paraprak i ODIHR shkrirjes së vijave ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ia doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të shqiptarëve. Detyrimi është para shqiptarëve dhe jo vetëm para kandidatëve për deputetë. Një gjë është e sigurt. Ndërsa ne vazhdojmë mbledhjen dhe faktimin e manipulimit të masakrës zgjedhore gjithë kamerat dhe mikrofonët e medias së lirë duhet të shtrojnë pyetjet legjitime tek autori i kësaj masakre. Tek treshja Rama-Doshi-Rakipi. Si i morën votat 3 deputetët e listës së zezë të DASH? Si i mori votat Vangjush Dako bashkë me përfaqësuesit e krimit. Si i morën votat djali i Aqif Rakipit dhe dhëndri, një nga familjet kriminale të Peqinit. Detyra jonë është të qëndrojmë fort dhe të luftojmë për rikthimin e demokracisë në vend, i cili është një nga kushtet që bëri anëtarësimin në NATO dhe për të avancuar në BE.
A do e bëni këtë betejë në parlament?
Lulzim Basha: Kjo betejë do të bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë. Përfundimi i saj do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë, shqiptarëve.