Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka përzierë me mesazhe politike fitoren e Ermal Metës në Sanremo.
Përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’, Basha shkruan se “në këto ditë të vështira kur banditët janë në krye të vendit, një kantautor i ri, Ermal Meta na fali gëzim duke triumfuar në Festivalin prestigjioz të San Remos. Triumfi i Ermalit na kujton se ka shqiptarë me talent, me energji që dinë të ecin përpara”.
Mesazhi i Bashës:
Në këto ditë të vështira kur banditët janë në krye të vendit, një kantautor i ri, Ermal Meta na fali gëzim duke triumfuar në Festivalin prestigjioz të San Remos. Triumfi i Ermalit na kujton se ka shqiptarë me talent, me energji që dinë të ecin përpara.
Shqiptarë të ndershëm, krijues, të suksesshëm, njerëz të zotë dhe me vlera ka plot mes nesh, por pak bien sot në sy, sepse lajmet për Shqipërinë dhe shqiptarët i dominojnë zullumi, trafikantët dhe qeveritarët banditë.
Por e nesërmja i takon shumicës dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm dhe me vlera. Triumfi i Ermalit është një përmendore e vlerave të vërteta të tyre.
E përgëzoj nga zemra Ermal Metën për çmimin e fituar me talentin dhe punën e tij, dhe i uroj për suksese të tjera më tej! Ky është modeli që na bën krenar dhe na frymëzon si shqiptarë!