Politika Basha: Qeveria nuk bëri asgjë për shëndetësinë

Basha: Qeveria nuk bëri asgjë për shëndetësinë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkruan se sistemi shëndetësor publik në Shqipëri vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, nga investimet në infrastrukturë dhe për pajisje. Në një postim në Facebook, kreu i PD shprehet se “qytetarët duhet të presin orë e ditë të tëra në radhë për të marrë shërbimin bazë”, duke shtuar se “mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon”.

Më tej numri një i opozitës citon të dhënat nga Observatori Global i Shëndetit, ku Shqipëria rezulton se ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë.

“Pas 2 mandatesh të qeverisjes së Ramës, mjekët shqiptarë paguhen më pak se në çdo vend të rajonit apo Europës. Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është dhe paga më e ulët në rajon. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro”, shton Basha.

Kreu i Partisë Demokratike merr dhe shembullin e Kosovës, duke thënë se ky vend rriti ndjeshëm pagat e personelit shëndetësor, me synim ndalimin e largimit të bluzave të bardha, “ndërsa personeli shëndetësor në Shqipëri ka nevojë të menjëhershme për mbështetje”.

Basha gjithashtu shkruan se “në 7 vjet kjo qeveri i shpenzoi paratë e shqiptarëve për koncesione dhe tendera korruptivë. 120 milionë euro shkuan për check up-in e famshëm, para të cilat mund të përdoreshin për të mbështetur personelin shëndetësor apo për të blerë aparatura të reja”.

“Në planin tonë ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur specializimet për mjekët e rinj në mënyrë që të rrisim kapacitetet. Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor. Do të rrisim investimet për aparatura moderne të qëndrave shëndetësore dhe spitaleve. Do të anullojmë koncesionet korruptive dhe do të çojmë para ligjit ata që abuzuan me paratë e shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri normale, që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh”, përfundon Basha.