Politika Tha se s’duhej të kandidonte më, Berisha i përgjigjet me ironi Rulit:...

Tha se s’duhej të kandidonte më, Berisha i përgjigjet me ironi Rulit: Viktimë e mençurisë së vet

Genc Ruli pasi u zgjodh pjesë e komisionit të PD-së për të shqyrtuar propozimet për kandidaturat për deputetë, pati deklaruar se do të ishte mirë që ish-kryeministri Sali Berisha të mos kandidonte më.

Por Berisha i është përgjigjur kësaj deklarate, me nota humori dhe ironie. I ftuar në Syri TV, Berisha tha se Ruli është viktimë e mençurisë së vetë dhe ngatërron karrierën me betejën.

Ish-kryeministri theksoi se do ta konsiderojë mundësinë e të qenit në Kuvend, por nga beteja nuk do të tërhiqej kurrë.

“Genc Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij.

Ai ngatërron dy gjëra elementare që nuk mund të ngatërrohen kurrë me njëra-tjetrën. Ngatërron karrierën me betejën. Tjetër është beteja, tjetër është karriera.

Për karrierë, Berisha i ka dhënë fund më 26 qershor 2013. Të mendosh që një njeri që ka pasur disa funksione, qëndron deputet për karrierë, është e pamendueshme.

Beteja do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve të PD-së. Ruli është viktimë e mençurisë së tij”, u shpreh Berisha.

Çim Peka e pyeti përsëri, nëse ka ndërmend ish-kryeministri të vazhdojë betejën si deputet në Kuvend.

“Do të vazhdoj betejën. Do të shoh situatën dhe rrethanat. Nga beteja nuk tërhiqem kurrë”, u përgjigj Berisha.