Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e së shtunës se kryeministri Edi Rama “ka nisur një fushatë agresive për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e ditëve të fundit”.
“Prej disa ditesh në hapësirën publike shqiptare po zhvillohet një fushatë agresive nga Edi Rama dhe makineria e tij prej milona eurosh e propagandës për të shpërqendruar opinionin publik dhe mbuluar krimet e rënda që kanë ndodhur në bashkëpunim mes qeverisë, Partisë Socialiste dhe krimit të organizuar”, theksoi Basha, duke shtuar se “kjo propagandë është një kopje e parimeve dhe metodave të propagandës naziste për të justifikuar krimet shtetërore”.
“Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale. Bisedat për koordinimnin e vjedhjes së zgjedhjeve mes kokave politike të vendit me vrasës e trafikantë e të tjerë po shiten si biseda të pafajshme të politikanëve me votues apo të drejtuesve të qeverisë dhe vartësve të tyre. Një linjë tjetër e propagandës kriminale qeveritare dhe mercenarëve të tyre është relativizimi i krimeve që kanë ndodhur. Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës”, shtoi Basha.