Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reaguar pas deklaratave të bëra së fundmi nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili njoftoi edhe se nuk do të marrë pjesë në samitin që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.
Basha shkruan në një postim në llogarinë e tij në Twitter se gjuha e urrejtjes e përdorur nga Vuçiç ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është e papranueshme.
Ai thekson se Kosova është shtet i pavarur ndërsa shton se qëndrimet e mbajtura së fundmi nga presidenti serb tregojnë se ai nuk është ndarë nga e shkuara.
Gjuha e urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës nga presidenti i Serbisë është e papranueshme. Ajo dëshmon se lidershipi serb nuk është ndarë nga e shkuara. Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund ti imponohet me gjuhën e dhunës.
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) December 2, 2022
Duke iu drejtuar serbëve që jetojnë në Kosovë, ish-kryedemokrati thotë se ka ardhur koha që ata të mos pranojnë më të “keqpërdoren për llogaritë politike të së shkuarës.”
Kujtojmë se presidenti serb ka reaguar ashpër pas emërimit të një politikani serb, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Pas emërimit të politikanit serb, Vuçiç bëri të ditur se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në samitin e 6 dhjetorit. Po ashtu, presidenti serb, kryeministrin e Kosovës dhe Nenad Rashiçin i cilësoi si “llum terrorist”.
“Ti terrorist llum, të kesh kujdes që të mos e lëndosh ndonjë serb me zgjedhjet që bën, sepse serbët dhe shteti serb do të dinë se si të përgjigjen. Dhe ty Evropë, turp të qoftë,” është shprehur Vuçiç.