Kryesore Basha refuzon të votojë amnistinë penale: Lehtësohen zyrtarët e korruptuar

Basha refuzon të votojë amnistinë penale: Lehtësohen zyrtarët e korruptuar

Lulzim Basha deklaroi se ai dhe grupi i deputetëve që e ndjekin nuk do të marrin pjesë në seancën e ditës së nesërme të Kuvendit, ku pritet të miratohet dhe amnistia penale, e cila ka nevojë për 84 vota.

Përmes një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se drafti aktual i qeverisë për amnistinë parashikon lehtësira për zyrtarët e korruptuar dhe nuk përfshin qytetarët që sipas tij kanë qenë viktima të këtij korrupsioni.

“Do të përdorë amnistinë për të amnistuar zyrtarët e korruptuar dhe nuk amniston protestuesit që mbrojnë vendin e tyre. Kjo është skandaloze, ndërhyrje në punët e drejtësisë. PD-ja nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka se kërcënimi për avancimin e reformës në drejtësi është Rama dhe qeveria e tij. Kanë frikë nga drejtësia. Inkurajojmë prokurorët që të vijojnë punën e tyre. Drejtësia duhet të çojë para ligjit korrupsionin qeveritar. PD-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar të dënuar nga SPAK”, tha Basha.

Kreu i PD-së, megjithatë la të hapur mundësinë se nëse mazhoranca pranon amendamentet e opozitës për amnistinë, atëherë ai do të rishohë qëndrimin për këtë çështje.

“Nëse do të pranohen kërkesat tona do të rishikojmë qëndrimin. Zarat janë hedhur. Në një anë janë ata që refuzojnë reformën në drejtësi, që duan të vjedhin dhe nga ana tjetër është PD-ja që mbështet fundin e pandëshkueshmërisë”, përfundoi Basha.