Pas takimit me aleatët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati një prononcim të shkurtër me mediat.
Ai tha se rrotacioni i pushtetit është i pashmangshëm dhe është i përkushtuar që ta sjellë atë me mjete politike për hir të vendit.
“Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët. Do shpalosim ofertën tonë. Do të bëjmë gjithçka që të kalojmë një proces zgjedhor përmes një reforme zgjedhore që jemi tërësisht të angazhuar. Nuk ka forcë mbi këtë dhé që do të ndalë rrotacionin. Edi Rama i ka bërë hesapet gabim. Ia kam thënë para një muaji, po ia përsëris, nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë rrotacionin. Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike për hir të vendit, stabilitetit. Kjo duhet të vijë pa kosto për shqiptarët, boll kanë paguar kosto këto 30 vjet. Do të bëj gjithçka që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët. Bashkimi ynë duhet të jetë i madh”, tha Basha.
Më herët kreu i PD-së u takua me presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Ky i fundit e ka njohur kreun e opozitës me fakte të reja për përfshirjen e anëtarëve të mazhorancës në kapjen e drejtësisë.
“Presidenti i Republikës më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes kriminale të zyrtarëve të lartë të mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Kapja e Gjykatës Kushtetuese është objektiv i Edi Ramës. I duhet Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur dhe liruar kriminelët me të cilët kanë marrë pushtetin dhe i duhet për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm që është produkti tij dhe bashkëpunimit të tij me krimin. Ky është një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me tanke, por me shërbëtorë të bindur të qeverisë në organet e reja të drejtësi”, tha Basha.
Basha theksoi se parlamenti për opozitën është shpërndarë që kur ata dogjën mandatet. Ndërkohë çdo vendim që merret nga mazhoranca është nul për opozitën.
“Për ne parlamenti nuk ekziston më. Për ne parlamenti është shpërndarë më 18 Shkurt i 2019-s. Çdo ligj i ndërmarrë nga një mazhorancë ilegjitime është nul. Ne jemi të orientuar nga zgjidhja dhe nuk mund të jetë thjesht. Ndryshimi është i pashmangshëm. Rrotacioni është i pashmangshëm. Nuk do të ketë forcë mbi tokë ta ndalë ardhjen në pushtet të opozitës me votën e qytetarëve”, tha Basha.