Bota Ambasadori shqiptar në Kinë publikon fotot prekëse: Nuk ka dallim mes ushtarakut...

Ambasadori shqiptar në Kinë publikon fotot prekëse: Nuk ka dallim mes ushtarakut dhe mjekut

Ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja ka publikuar sot disa foto prekëse të bëra në mesin e ekipeve mjekësore që po luftojnë me koronavirusin.

Ai shprehet se tashmë nuk ka asnjë dallim mes ushtarakut që niset në luftë dhe mjekut që lufton me virusin vdekjeprurës.

Të gjithë mjekët që kanë humbur jetën në krye të detyrës do të quhen “dëshmorë të atdheut”, dhe kjo do të përcaktohet mbi bazën e disa kritereve.

Statusi i plotë në Facebook:

“Nuk ka tashmë asnjë dallim mes ushtarakut që niset në front dhe mjekut, ndihmësve, infermierëve e transportuesve të të infektuarve që bien në kontakt me raste të konfirmuara a të dyshuara të prekjes nga Coronavirus-i. Dje autoritetet kineze shpallën se ashtu si të rënët në betejë, edhe personeli shëndetësor që ka humbur e humb jetën ne betejën epidemike merr statusin e “dëshmorit të atdheut” (martir). Ky status do të përfshijë edhe persona të tjerë që kanë sakrifikuar jetën -sipas disa kritereve. Sado që duket një masë e brendshme, ky është një tjetër tregues i angazhimit suprem të Kinës për të luftuar virusin dhe bllokuar përhapjen e tij. Siç thekson OBSH kërcënimi është global. Në këtë kuptim martirët kinezë në vijën e parë të luftës kundër CoV janë edhe ..dëshmorët tanë! Nderim të përjetshëm sakrificës së tyre!”