Në intervistën e gjatë të dhënë për Deutsche Welle, kryetari I opozitës Lulzim Basha u pyet nga gazetarja në lidhje me thirrjet që Berisha, lideri historic I PD ka bërë për kryengritje, dhe jo vetëm kaq përplasje civile në zgjedhjet e 30 qershorit po të jetë nevoja.
Basha u përpoq të zbusë tonet, duke shmangur në një farë mënyrë nga përgjegjësia e PD dhe e opozitës, deklaratat e Sali Berishës.
“Secili ka mënyrat e veta për t’i folur publikut dhe unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt. Unë flas ne emrin tim, në emër të PD, në emër të opozites së bashkuar, sepse jam kryetari i PD dhe opozitës së bashkuar.”
Basha shtoi se opozita është e interesuar ta shmangë konfliktin civil.
Me përgjegjësinë totale po ju them zgjidhja politike që opozita ka parashtruar, zgjidhja politike që kalon përmes standardeve europiane, është rruga e vetme, rruga e sigurtë për të shmangur konfliktin total civil, për të cilin nuk është e interesuar as opozita, as Partia Demokratike, as shqiptarët. Kushdo që është i interesuar në krahun tjetër, kushdo që bën llogaritë se duke nxitur konfliktin civil, mund t’u shpëtojë përgjegjësive politike dhe ligjore për aferat korruptive dhe kriminale, e ka shumë gabim.
Pyetjes së DW se kur do të bëhen zgjedhjet sipas Bashës, ai iu përgjigj: Kjo është beteja. Nëse ju e quani kryengritje, apo revolucion, apo diçka tjetër. Kjo është një betejë popullore, pikërisht, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ku, në fund, produktin ta diktojnë qytetarët shqiptarë me votë.