Nga Shkodra, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi drejtpërdrejt dhe me emër të përveçëm deputetin socialist të këtij qarku, Paulin Sterkaj si të përfshirë manipulimin e zgjedhjeve lokale të Dibrës në 2016-ën. Basha e quajti Sterkajn një ish-trafikant të kapur në përgjimet e prokurorisë.
“Në Dukagjin kemi deputet një ish-trafikant që pastaj është veshur me uniformë policie dhe është kapur pastaj në dosjen 184, duke bërë pazare me Ymer Lalën për të vjedhur bashkinë e Dibrës. Shqipëria e transformuar, Shqipëria e ndryshuar është kjo Shqipëri që do u takojë Elvis Dedëve dhe qindra të rinjve dhe jo Paulin Sterkajve dhe një grushti tjetër kriminelësh që i bëjnë duanë Edi Ramës nga mëngjesi deri në darkë.”
Në një takim me qytetarë dhe të rinj të janë arsimuar jashtë Basha u ndal edhe te situata e krimit në këtë qytet për të cilën akuzoi qeverinë se është bërë palë me bandat.
“Qeverisja e ardhshme do asgjësojë çdo lidhje me krimin. T’i kthejmë sigurinë qyteteve dhe lagjeve tona. Na ka marrë frika me pi kafe në Shkodër më thanë. Ky është krimi i Edi Ramës dhe banditëve me të cilët ai qeveris. Ky është një turp. Ne do t’i çojmë prapa hekurave aty ku e kanë vendin. Do t’i shembim shtyllat e sistemit që Rama ka ndërtuar. Ka vënë trarë të padukshëm që ju qytetarët të mos keni mundësi të përparoni.”
Takimet në qarkun e Shkodrës, Basha i nisi në Koplik nga ku ripërsëriti qëndrimin se nuk ka kthim pas nga beteja për zgjedhje të lira e të ndershme pa Ramën Kryeministër.