Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me ish-Kryeministrin e Kanadasë Stephen Harper, aktualisht President i “Unionit Ndërkombëtar Demokrat’.
Basha dhe Harper diskutuan për krizën politike në vend dhe zgjidhjen e kësaj situate. Në postimin në Facebook, ku njofton edhe takimin me ish-Kryeministrin kanadez, kryedemokrati shprehet se kriza zgjidhet përmes mbrojtjes së shtetit ligjor dhe standardeve të demokracisë.
“Nder dhe privilegj të takohem në Tiranë me mikun e çmuar Stephen Harper, Presidentin e ‘International Democrat Union’, ish-kryeministër i Kanadasë dhe një ndër zërat më të spikatur të së djathtës në mbarë botën. Bashkë diskutuam për krizën e rëndë politike dhe kushtetuese ku është futur vendi si edhe për rrugëdaljen prej saj që duhet të kalojë përmes mbrojtes së standarteve të demokracisë dhe të shtetit ligjor.
Si një ndër përkrahësit më të vyer të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë, i shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e tij të vazhdueshme që Shqipëria të përmbushë standartet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës si garancia e vetme për integrimin tonë në BE.
Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë e mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadër të organizatës botërore të IPU që përfshin partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë me seli në Munih, ku aderojmë prej vitesh”, shkruan Lulzim Basha në Facebook.