Politika Basha: Të pastrohet politika nga abuzuesit që u pasuruan në kurriz të...

Basha: Të pastrohet politika nga abuzuesit që u pasuruan në kurriz të qytetarëve

Vettingun në politikë, Lulzim Basha e sheh si të vetmen rrugë që Shqipëria të pastrohet nga korrupsioni.

Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike shkruan se Shqipëria është e kapur nga korrupsioni, ndërsa mirëqenia e qytetarëve zvogëlohet gjithnjë e më shumë.

Basha bën thirrje që politika duhet të pastrohet nga ata persona të cilët janë pasuruar në kurriz të shqiptarëve, e këtë sipas tij, e mundëson Vettingu në politikë.

“Në sytë e shqiptarëve dhe mbarë botës, Shqipëria është një shtet i kapur nga korrupsioni, ku fuqia e pushtetit rritet, ndërsa mirëqenia e qytetarëve vetëm bie. Që pushteti t’u kthehet qytetarëve, duhet të marrë fund pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, duhet pastruar politika nga abuzuesit që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, duhet një orë e më parë Vetting në politikë”, ka shkruar Lulzim Basha në Twitter.