Politika “I thoni dajës të firmosë shkarkimin e prokurorit”/ Ish-Presidenti Moisiu: Si Berisha...

“I thoni dajës të firmosë shkarkimin e prokurorit”/ Ish-Presidenti Moisiu: Si Berisha më bëri presion nëpërmjet Gazmend Dibrës

Për ish-presidentin Alfred Moisiun, akuzat e DASH ndaj ish-kryeministrit Berisha nuk janë të reja.

Ish-presidenti Moisiu zbuloi një situatë nga e shkuara kur ai ishte kryetar shteti, me të cilën tregoi se si Berisha i bëri presion përmes drejtuesit të Aviacionit Civil, Gazmend Dibrës për shkarkimin e prokurorit.

“Ndodhi që, shkon drejtori i Aviacionit Civil, Gazmend Dibra u bënte presion nipave të mi që kishin kompani ajrore ‘thoni dajës të firmosë shkarkimin e prokurorit, edhe çdo gjë zgjidhet mirë.’ Ky ishte një lloj takimi i tipit mafioz. Si ka mundësi që kryeministri t’i bëjë rikatim presidentit, kryetarit të shtetit. Këto gjëra, unë i kam goditur shumë. Çfarë janë këto? Këto janë minimi i demokracisë. Pra, një nga akuzat që i bëhet atij nga DASH është pikërisht kjo. Domethënë kjo nuk është e re, nuk është e padëgjuar”, tha Moisiu në Vizion Plus.

Ishte sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ai që bëri me dije vendimin, se Sali Berisha dhe familja e tij janë futur në listën e zezë nga SHBA. Siç shkruhej në vendimin e DASH të shpërndarë nga Blinken, aktet e korruptuara të ish-Presidentit të Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri.