Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha sot para 300 studentëve evropianë, pjesëtarë të organizatës studentore zyrtare të Partive Popullore Europiane, se të shtunën dhe ditët në vijim do të përcaktohet fati i Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshme.
“Beteja që kemi nisur hyn këtë të shtunë në javën e 12-të. Kemi arritur shumë këto 12 javë miqtë e mi, por kemi akoma edhe gjysmën e rrugës për të bërë. Jua them jo thjeshtë me sensin e përgjegjësisë, por mbi të gjitha me një ndjenjë shprese të madhe se këtë të shtunë dhe këto ditë që vijnë, do të përcaktohet fati i 10-15 viteve të ardhshme. Unë dhe demokratët shqiptarë jemi të vendosur që këtë fat të mos e lëmë në duart e kriminelëve, të oligarkëve, të mos e lëmë në duar të politikanëve të korruptuar, por ta lëmë në duart tuaja, sepse jeni hipoteka më e sigurt për Shqipërinë europiane”, tha Basha.
Kryedemokrati ftoi edhe studentët europianë në protestës opozitare të së shtunës në Tiranë.
“Ju mirëpres nesër të gjithë sëbashku në bashkimin e madh kombëtar të protestës në orën 18:30 sikundër edhe një herë ju uroj gjithsecilit prej jush anëtarë të partive simotra suksese dhe fitore të Partive Popullore Europiane në zgjedhjet e 26 Majit (për Parlamentin Europian).”
Basha tha se sot Shqipëria ka 45 mijë studentë më pak, teksa u zotua se me ardhjen e PD në pushtet do të dyfishohet buxheti për arsimin e lartë.
Në krah të Bashës u shfaq edhe djali i madh i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, për të cilin kryedemokrati tha se “me bashkimin me kauzën, nderon trashëgiminë e babait të tij.”
“Në këtë sallë ndodhen studentë që janë ngritur në një betejë të pashembullt, prej më shumë se një dekade në Europë. Studentë të Universiteteve shqiptare të mbështetur nga miq e shokë të tyre, studentë që studiojnë jashtë shteti, njëri prej tyre Glauk Olldashi, që kam kënaqësinë e veçantë ta përshëndes, t’i uroj mirëseardhjen në këtë bashkëbisedim. Merita e tij është që në ditën e parë ka qenë krah studentëve shqiptarë në betejën për arsimin e lartë të standardeve europiane. Por natyrisht nderon trashëgiminë e babait të tij, ish kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, një miku dhe bashkëpunëtorin timin, një nga liderët e PD ndarë nga jeta tragjikisht para disa vitesh, Sokol Olldashi.”